Roli i të Rinjve në Subjektet Politike në Kosovë

Ky raport përfshinë informata mbi rolin e të rinjve në subjekte politike dhe organizatat rinore siç shihen nga këndvështrimi i të rinjve në përgjithësi, përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, dhe të rinjve të cilët aktualisht janë anëtar të strukturave rinore të subjekteve politike. Të dhënat e paraqitura në këtë raport janë mbledhur përmes anketimeve të drejtpërdrejta me rininë, takimeve dhe intervistave telefonike. Në vijim paraqiten gjetjet kryesore:
• Shtatëdhjetë e tre përqind e të rinjve të anketuar nuk kanë qenë asnjëherë anëtarë të strukturave rinore të ndonjë subjekti politik apo organizate rinore, 17 përqind kishin qenë por nuk janë më anëtarë, dhe vetëm 10 përqind janë aktualisht anëtarë të strukturave rinore të subjekteve politike apo organizate rinore;
• Katërdhjetë e një përqind e rinisë së anketuar ishin të pakënaqur me rolin e rinisë në subjektet politike, ndërsa 35 përqind ishin të kënaqur. Të anketuarit të cilët aktualisht janë anëtarë të strukturave rinore në subjekte politike apo organizata rinore kanë më tepër gjasa të jenë të kënaqur;
• Përfitimet personale ishin përgjigjet kryesore nga rinia e anketuar kur janë pyetur për përfitimet e anëtarësimit në subjektet politike. Më shpesh të përmendura ishin që anëtarësia në një subjekt politik do të ndihmonte të gjejnë punësim (48%) dhe do të ndihmonte të zhvilloheshin profesionalisht (36%);
• Njëzet e tetë përqind e rinisë së anketuar theksuan se asnjë subjekt politik nuk ka ideologji që është e ngjashme me pikëpamjet të tyre;
• Përfaqësuesit kyç nga shoqëria civile ishin të mendimit që strukturat rinore të subjekteve politike nuk luajnë ndonjë rol në proceset vendim-marrëse në subjektet politike, dhe se rinisë ju ofrohen detyra sipërfaqësore administrative në veçanti gjatë fushatave zgjedhore. Ata i vunë theks të veçantë lidhjes në mes anëtarësisë në strukturat rinore dhe mundësive të punësimit, gjë që e fuqizon gjetjen paraprake nga ky raport;
• Sipas përfaqësuesve kyç nga shoqëria civile, përparësitë e anëtarësimit të të rinjve në subjekte politike janë që të rinjtë mësojnë lidhur me zhvillimet politike, kuptojnë më mirë partitë politike dhe institucionet, përgatiten të bëhen politikanë, dhe mund të punësohen. Në anën tjetër, këta përfaqësues gjithashtu besojnë që anëtarësimi mund ta dekurajoj rininë që të mendojë në mënyrë jo-partiake, dhe anëtarësimi mund të perceptohet si jo-profesional;
• Anëtarët e intervistuar të strukturave rinore të subjekteve politike, në mesin e arsyeve të tjera, deklaruan se vendosën të bëhen anëtarë për shkak që: të ketë një të ardhme më të mirë, të ndihmojnë strukturën rinore në zbatimin e aktiviteteve, të jenë më afër politikës, të kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës, dhe të jenë pjesë e një strukture rinore që shikohej si shpresë për ndryshime. Anëtarët e strukturave rinore nuk e cekën punësimin si arsye për anëtarësimin e tyre;
• Anëtarët e intervistuar në strukturat rinore deklaruan se ishin të kënaqur me angazhimin e tyre në strukturat rinore dhe në proceset vendim-marrëse të subjekteve politike. Ata theksuan që aktivitetet e strukturave rinore janë të zgjeruara në aktivitete rekreative, humanitare dhe arsimore. Anëtarët e subjekteve politike opozitare ishin të angazhuar edhe në organizimin e protestave të mbajtura rishtazi.

Raportin e plotë mund ta gjeni ketu.

Related

Latest posts

Categories